Aleksithimia është gjendja që karakterizon njerëzit që kanë vështirësi në kuptimin dhe shprehjen e emocioneve të tyre. Etimologjia e fjalës është nga greqishtja e lashtë αλέξω(alekso) =largoj/spraps dhe θυμό(thimo) = ndjenjë pra sprapsja e ndjenjave.
ÇFARË ËSHTË ALEKSITHIMIA?
Personat që përjetojnë aleksithimi, kanë vështirësi shumë të mëdha të perceptojnë situatat e tyre emocionale në momentin që shfaqen. Mund të kenë një ndjesi të fortë emocionale, psh trishtim me lotë apo zemërim të papërmbajtshëm, por kur përpiqen të kuptojnë çfarë e shkaktoi këtë situatë nuk e dinë. Shumica mund të vihen në siklet, sikur t’ju ketë ndodhur ndonjë gjë në trup, rritje tensioni apo dhembje në stomak, dhe kur pyeten të japin shpjegime nuk dinë çfarë të thonë.